Ballina Lajme Komuna e Obiliqit dhe një komunë në Norvegji të gatshëm për bashkëpunim

Komuna e Obiliqit dhe një komunë në Norvegji të gatshëm për bashkëpunim

Sot komunën e Obiliqit e ka vizituar kryetarja e komunës Nome të Norvegjisë Bjorg Tveito Lunderfaret, me c’rast është shprehur se do të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit në mes dy komunave.

Vizita e saj në komunën e Obiliqit ka ardhur pas ftesës që i është bërë asaj për ta falënderuar për mbështetjen që u kishte dhënë disa refugjatëve të Obiliqit që kishin qëndruar në qytetin Nome.

Kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, tha se do të shikojnë mundësinë që të bashkëpunojnë si dy komuna.

Gashi: Ka ndihmuar shumë refugjatët gjatë luftës

“Kjo ka qenë një vizitë e njoftimit mes dy komunave. Ne e falënderojmë shumë sepse Bjorg ka qenë jashtëzakonisht humane edhe gjatë periudhës kur nuk ka qenë kryetare. Në komunën e saj disa refugjatë nga komuna jonë kanë shkuar dhe kjo është përkujdesur në mënyrën më të mirë…Normal që është kënaqësi e veçantë dhe shpresojmë që edhe në të ardhmen do të ketë bashkëpunime të dyanshme, shkëmbime të përvojave, pse jo ndoshta edhe binjakëzim”, tha Gashi.

Ndërsa, kryetarja e Nome Bjorg Tveito Lunderfaret, tha se do të dëshironte që ta priste në komunën që e drejton kryetarin e Obiliqit për të shikuar fushat në të cilat mund të bashkëpunojnë.

Tveito: Do të doja që edhe kryetari i Obiliqit të vinte në vizitë te ne

“Jam shumë e kënaqur që jam këtu në vizitë me ftesën e kryetarit dhe të qytetarëve. Mund të ndodh që në të ardhmen të kemi bashkëpunimi mes dy komunave. Jam e kënaqur nëse edhe kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi do të vije për vizitë në komunën që unë e udhëheq për të na vizituar dhe të shohim se çka mund të bëjmë në kuptimin e bashkëpunimit”, tha Tveito.

Kryetarja e qytetit Nome, Bjorg Tveito Lunderfaret së bashku me kryetarin e Komunës së Obiliqit kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Obiliqit ku është njoftuar me asamblistët dhe punën e Kuvendit. Po ashtu, kanë zhvilluar një vizitë në shkollën “Hasan Prishtina” në Milloshevë, ndërsa vizitën e saj në Kosovë do ta përmbyllë me vizitë në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.