Ballina Lajme Jahjaga e quan të gërditshëm veprimin e Flora Brovinës

Jahjaga e quan të gërditshëm veprimin e Flora Brovinës

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e konsideron të gërditshme e të neveritshme veprimin e deputetes Flora Brovina, e cila publikoi një fotografi ku shihej një grua derisa po dhunohej seksualisht nga forcat serbe.

Përmes rrjetit social Facebook, Jahjaga ka thënë që publikimi i asaj fotografie ritraumatizon viktimën dhe të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një deputete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë”, shkruan Jahjaga.

Atifete Jahjaga, e cila gjatë mandatit të saj, dhe pas përfundimit, është angazhuar në Kosovë, dhe jashtë saj, për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale, konsideron se publikimi i fotografisë dekurajon të mbijetuarit të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre.

Postimi i plotë:

Një goditje e rëndë u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me publikimin e pamjeve që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës! Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një deputete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë.

Veprimi i deputetes është jo etik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre.

Publikimi i fotografisë është një goditje e rëndë për dinjitetin e gruas që shihet në fotografi dhe është një goditje e rëndë për luftën tonë për drejtësi për mijëra gra e burra që u bënë cak i një fushate të egër të dhunimit seksual që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës së 1998-1999 për ta spastruar Kosovën etnikisht nga shqiptarët!

U bëjë thirrje mediave që të largojnë fotografinë nga platformat e tyre për të mos e dëmtuar viktimën edhe më shumë! U bëjë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim dhe të veprojnë në përputhje me ligjin!

Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike!