Ballina Rajon & Bote Indonezia rrezikohet nga shpërthimet e reja vullkanike

Indonezia rrezikohet nga shpërthimet e reja vullkanike

Zyrtarët indonezianë paralajmëruan sot për mundësinë e shpërthimeve të reja të vullkanit Sinabung aktiv në ishullin e Sumatrës, pasi që hodhi një sasi të madhe hiri, duke shkaktuar panik në mesin e popullatës.

Shpërthimi i djeshëm i Sinabung zgjati rreth nëntë minuta dhe tymi vullkanik shpërtheu deri në shtatë kilometra në qiell.

Me këtë rast nuk pati viktima, por zyrtarët që monitorojnë situatën rreth vullkanit paralajmërojnë se shpërthimet e mëtejshme mund të pasojnë.

“Pas shpërthimit, nga mesnata deri në gjashtë të mëngjesit, pati disa tërmete të mëvonshme”, tha një shkencëtar që monitoron aktivitetin e Sinabung.

Autoritetet paralajmëruan popullatën se duhet të mbajnë maska dhe të qëndrojnë në shtëpi për të mbrojtur veten nga hiri vullkanik.

Sinabung, 2,460 metra i lartë, është një nga vullkanet më aktive në Indonezi.

Indonezia ka rreth 130 vullkane aktive, më shumë se çdo vend tjetër në botë.