Ballina Lajme IKD: KPK shpërblen prokurorin Kujtim Munishit i cili mbylli hetimin për Aleksandër...

IKD: KPK shpërblen prokurorin Kujtim Munishit i cili mbylli hetimin për Aleksandër Lumezin

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ku sipas IKD-së në mënyrë të kundërligjshme e ka caktuar Prokurorin Kujtim Munishi në pozitën e U.D. të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ky i fundit, ka shërbyer si shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, derisa propozimi dhe miratimi për emërimin e tij në pozitën e përkohshme të UD Kryeprokurorit të Prishtinës është bërë në mbledhjen e KPK-së të mbajtur më 7 qershor 2019.

“Për më tepër, në nenin 14 pika 2 të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorëve të miratuar nga vet KPK dhe që është në fuqi, përcaktohet se në rast të pushimit të mandatit të Kryeprokurorit, zëvëndës-kryeprokurori e ushtron pozitën e Kryeprokurorit por jo më gjatë se tre muaj. Mbi këtë bazë vendimin për caktimin e U.D. e merr Këshilli Prokurorial i Kosovës”. Ky obligim ligjor është shkelur nga KPK, e cila ka anashkaluar zëvendës kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka propozuar dhe caktuar për ushtrues detyre të kryeprokurorit, prokurorin Kujtim Munishi”, thekson IKD në reagim.

IKD vlerëson se kjo logjikë e veprimit nga KPK, duke shkelur politikat e saj që regullojnë administrimin dhe menaxhimin e sistemit prokurorial, të cilat vetë i ka miratuar, dëshmon se qëllimi i emërimit të prokurorëve të caktuar në këto pozita është që të njëjtit të jenë në rolin e argatit ndaj grupeve të caktuara të interesit.

“Për IKD-në është e papranueshme logjika e veprimit në këtë mënyrë të kundërligjshme, sidomos në rastet si ky, kur tendenca e drejtuesve të KPK-së shkon në drejtim të shpërblimit të kundërligjshëm me pozita dhe ngritje të shpejtë në karrierë të prokurorit Kujtim Munishi, për të cilin IKD dhe mediat e pavarura kanë raportuar për shërbimin që ai ka bërë për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, të cilit ia ka mbyllur në mënyrë të kundërligjshme hetimin për dosjen e manipuluar të provimit të jurisprudencës”, thekson tutje IKD.

Për më tepër, IKD e konsideron të papranueshme qasjen dhe politikën e ndjekur nga KPK që në pozita udhëheqëse të caktoj persona me integritet të cenuar dhe ndaj të cilëve publiku ka mungesë të besimit në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij në ushtrimin e funksioneve prokuroriale.

IKD i bën thirrje të gjithë anëtarëve me integritet në Këshillin Prokurorial, prokurorëve me integritet në sistemin prokurorial, përkatësisht në Prokurorinë Themelore në Prishtinë që të reflektojnë mbi këto veprime të kundërligjshme, duke ndërmarrë veprime adekuate në përputhje me ligjin për të kthyer ligjshmërinë në KPK, si rruga e vetme për të kthyer besimin e publikut në sistemin prokurorial dhe sistemin e drejtësisë.