Ballina Lajme Haradinaj takon përfaqësuesit e Federatës Evropiane të Pingpongut

Haradinaj takon përfaqësuesit e Federatës Evropiane të Pingpongut

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim presidentin e Federatës Evropiane të Ping Pongut (ETTU) , Ronald Kramer të cilin e ka falënderuar për punën që ka bërë për sportin dhe sportistët tanë të jenë pjesë e garave ndërkombëtare.

Pjesë e këtij takimi sipas një njoftimit të Qeverisë, ishte edhe kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Nehat Çitaku.

Kryeministri në detyrë Haradinaj gjatë takimit e ka njoftuar Kramer, për të arriturat dhe progresin e vazhdueshëm në Kosovë, në të gjitha fushat e zhvillimit, me theks përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë për avancimin e sportit në Kosovë.

“Sporti në Kosovë, si shumë sfera të tjera kanë pasur sfidat e tyre në zhvillim dhe krijim, por sot jemi me fat që në këtë drejtim ne kemi shënuar progres dhe suksese në shumë fusha dhe në angazhimin institucional, sporti është shndërruar në një nga prioritetet tona”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke e falënderuar Federatën e Pingpongut të Kosovës për angazhimin dhe përpjekjet që të anëtarësohen në Federatën Evropiane të këtij sporti dhe të shënojnë edhe rezultate në përfaqësimin në garat ndërkombëtare të Kosovës.

“Rezultat i punës tuaj është edhe organizimi i Ligës Rajonale të Pingpongut “CONNECT Youth Table Tennis Regional Balkan League” e cila do të mbahet për herë të parë në Prishtinë nga 22 -23 Nëntor 2019 dhe ka përkrahjen e Federatës Evropiane të Pingpongut. Kjo është një arritje e madhe në këtë sport dhe këto angazhime në avancimin dhe profesionalizimin e këtij sporti, duhet të vazhdojnë pa ndalë, sepse Kosova ka potenciale”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Federatës Evropiane të Pingpongut, e kanë falënderuar kryeministrin në detyrë, Haradinaj, për pritjen, në të njëjtën kohë duke thënë se do të vazhdojnë të mbështesin Federatën e Pingpongut të Kosovës në zhvillimin e aktiviteteve të ngjashme edhe në të ardhmen.