Ballina Lajme Gjysma e bizneseve konsiderojnë se nuk mund të zhvillohen pa korrupsion

Gjysma e bizneseve konsiderojnë se nuk mund të zhvillohen pa korrupsion

Tri praktika të korrupsionit si më të përhapura në Kosovë janë ryshfeti, informaliteti, favorizimi i miqve dhe anëtarëve të familjes në institucionet publike. Dy të tretat e bizneseve mendojnë se nuk mund kryejnë punë pa dhënë ryshfet, ndërsa pothuajse gjysma e bizneseve deklarohen se nuk mund të zhvillohen pa korrupsion.

Kështu u tha sot konferencën “Korrupsioni nga ana e ofertës: Perspektiva e bizneseve” të organizuar nga Instituti Riinvest.

Sipas këtij raporti, 20 për qind e bizneseve të anketuara janë në gjendje të japin ryshfet pa iu kërkuar, ndërsa rreth 90 për qind e bizneseve të anketuara mendojnë se ka korrupsion.

Drejtori ekzekutiv në Institutin Riinvest, Alban Hashani theksoi se korrupsioni prej anës së ofertës krijon probleme në ekonomi dhe krijon pabarazi.

Hashani tha se të gjeturat korruptive janë shqetësuese, përderisa shumica e bizneseve të anketuara nuk kanë besim edhe tek institucionet përkatëse për luftimin e këtij fenomeni.

Sipas tij, Instituti Riinvest me partner është duke zbatuar projektin “Kodi dhe Koalicioni i bizneseve kundër korrupsionit”, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të akterëve kryesorë brenda komunitetit të biznesit në Kosovë mbi rëndësinë e zhvillimit të parimeve etike për të reduktuar korrupsionin dhe dhënien e ryshfetit nga bizneset (ana e ofertës së korrupsionit).

Ai tha se nga rezultatet kyçe të këtij projekti pritet të jetë miratimi i Kodit Kundër Korrupsionit, i nënshkruar nga shoqatat kryesore të bizneseve dhe udhëheqësit e bizneseve dhe krijimi i një Komiteti Drejtues për të stimuluar dhe ndjekur zbatimin e këtij Kodi.

Hashani: Vetëm një në dhjetë biznese raportojnë rastet për ryshfet

“Sa më i madh është diskrecioni i institucioneve publike, bindja është se korrupsioni është më i lartë, gjë që pasqyron dhe një herë mos besimin në institucione. Kjo reflektohet edhe kur e shohim se vetëm një në dhjetë biznese raportojnë rastet për mito. Në anën tjetër mbetet prapë shqetësuese se diku një në nëntë kompani e konsideron korrupsionin si pjesë të lojës. Pra, që është pjesë e të bërit biznes dhe rrjedhimisht nuk ka masa aktive për t’u ndryshuar. Kjo e bën edhe më komplekse gjithë çështjen për t’u trajtuar”, tha Hashani.

Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Per Strand Sjaastad, theksoi se fenomeni i korrupsionit është dukuri e rëndë për zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e konkurrencës së barabartë. Sipas tij, komuniteti i biznesit mund të luajë një rol të rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit.

Sjaastad: Korrupsioni ka shumë ndikime negative

“Korrupsioni është një industri e madhe. Kompanitë në raste të caktuara janë viktima, por edhe pjesëmarrës në industrinë e tij. Korrupsioni ka shumë ndikime negative, duke i dëmtuar qytetarët, prish tregun, pengon zhvillimin ekonomik dhe mundëson krimin e organizuar në tërë vendin”, tha Sjaastad.

Ndërsa, Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest duke vlerësuar raportin “Korrupsioni nga ana e ofertës: Perspektiva e bizneseve” për gjendjen jo të mirë të bizneseve në vend, tha se gati gjysma e bizneseve të anketuara mendojnë se nëpërmjet korrupsionit do të sigurojnë zhvillimin afatgjatë.

Mustafa: Dy të tretat e bizneseve mendojnë se për të kryer punë duhet dhënë ryshfet

“Është shqetësuese se dy të tretat të bizneseve mendojnë se për të kryer ndonjë punë, duhet patjetër të jepet ryshfet në institucionet zyrtare publike. Vetëm 18 për qind e bizneseve konsiderojnë se do refuzohet korrupsioni. Problemin kryesor e shohim te lidhjet midis grupeve biznesore dhe politike”, tha Mustafa.

Edhe Berat Rukiqi nga OEK tha se të gjeturat korruptive nga ky raport janë fenomen shqetësues, ndërsa theksoi se nxitja dhe presioni për korrupsion vjen nga kërkesa ose institucionet publike, sepse ka nivel minimal llogaridhënës dhe ka një shkallë të lartë të informalitetit.

Rukiqi: Bizneset japin ryshfet për mbijetesë

“Dhënia e mitos ose çfarëdo aktiviteti tjetër i angazhimit korruptiv bëhet çështje e mbijetesës së biznesit. Një çështje tjetër jo për me kontestuar të dhënën nga studimi, mirëpo për me theksua se nuk është korrupsioni kryesor ose nuk është aktiviteti më i madh i ndërmarrjeve në prokurim publik. Nuk ka shumë ndërmarrje në Kosovë që përfitojnë nga prokurimi publik”, tha Rukiqi.

Ndërsa, Afrim Atashi nga Agjencia Kundër Korrupsion, pranon se në bazë të këtyre të dhënave të prezantuara sot në këtë tryezë tregojnë parregullsi në fushën e bizneseve, mirëpo mendon që nuk janë edhe shumë reale këto statistika.

Atashi: Statistikat nuk janë të dhëna shumë valide

“Këto të dhëna dëshmojnë se këtu ka diçka dhe nuk shkon në rregull. D.m.th. kemi probleme në këtë fushë, edhe pse mendojë që në bazë të disa statistikave nuk janë të dhëna shumë valide për shkak se pash një statistikë, kur i kanë pyetur bizneset se: A ka korrupsion në Kosovë? Ato kanë thënë mbi 90 për qind, se ‘po, ka korrupsion’, dhe kur iu ka bërë pyetja e dytë se: në fushën e juaj që veproni a ka korrupsion? Kjo është rënë në mënyrë drastike”, deklaroi Atashi.

Në fund janë dhënë edhe katër rekomandime për komunitetin e biznesit dhe për institucionet publike, që mund ta përmirësojnë gjendjen korruptive te bizneset.