Ballina Lajme Financat e partive politike, shoqëria civile kërkon reagimin e Apostolovës

Financat e partive politike, shoqëria civile kërkon reagimin e Apostolovës

Organizatat e shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër Nataliya Apostolova, shefe e zyrës së BE-së dhe EUSR në Kosovë, përmes së cilës shprehin shqetësimin në lidhje me projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Përveç tjerash, nëpërmjet kësaj letre, këto organizata të shoqërisë civile i bëjnë thirrje ambasadores Apostolova që t’i bashkohet thirrjes së tyre dhe të reagojë publikisht ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke dënuar tendencën e paligjshme në Kuvend për të rregulluar financimin e partive në një mënyrë që bë vend për interesat individuale të partive qeveritare, por jo vetëm.

Letra e plotë:

E nderuara Ambasadore Apostolova,

Tashmë siç jeni informuar, ne organizatat e nënshkruara më poshtë, përgjatë gjithë procesit të hartimit të ligjit për financimin e subjekteve politike kemi luajtur një rol vendimtar në ofrimin e rekomandimeve për të përmirësuar ligjin ekzistues. Përkundër që pajtohemi me faktin që projektligji ka adresuar çështje të rëndësishme dhe pozitive, ne mbesim të shqetësuar nga lista e propozimeve dhe ndryshimeve në draftin e projektligjit nga ana e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Komisioni propozoi ndryshimin e disa prej elementëve kryesor të projektligjit të ri, duke përfshirë një rishikim themelor të formulës për ndarjen e të hyrave të partive nga Fondi Publik për Mbështetjen e Partive Politike, tkurrjen e funksionit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, zgjerimin e kufizimeve në lidhje me kontributet e donatorëve (personat fizikë dhe juridikë), hapjen e mundësive alternative për financim të tyre, ndryshimin e tavaneve për gjobat për partitë politike që shkelin rregullat e financimit të partisë etj.

Ndryshimet e mbështetura nga Komisioni në thelb do ta përkeqësojnë projektligjin për financimin e subjekteve politike, rrjedhimisht nuk kontribuojnë në përmirësimin e një prej sektorëve kryesorë të demokracisë në Kosovë.

Thënë ketë, ne besojmë që roli i instituteve dhe organizatave të shoqërisë civile në të gjithë procesin e reformës zgjedhore duhet të jetë shumë më substancial. Për të arritur këtë, ne duhet lejuar të monitorojmë dhe të kontribuojmë drejtpërsëdrejti në legjislacion, dhe planifikim dhe dizajnim të reformës në këtë fushë.

Përveç tjerash, ekspertiza dhe profesionalizimi i stafit të organizatave të poshtëshënuara e bëjnë të domosdoshme përfshirjen tone substanciale në këtë reformë. Prandaj, dhe pavarësisht gatishmërisë dhe rolit që ne kemi luajtur deri në këtë faze, ne besojmë që e gjithë kjo bëhet e parëndësishme nëse rekomandimet dhe shqetësimet profesionale të organizatave nuk konsiderohen me sinqeritet dhe nivel të lartë të profesionalizmit nga ana e Komisionit parlamentar.

Ne besojnë që organizatat që kanë treguar përkushtim dhe profesionalizëm të tillë duhet të vendosen në qendër të diskutimeve brenda komisioneve dhe grupeve të punës, nëse për asgjë, duke pasqyruar dhe respektuar kontributin profesional të dhënë nga ne. Një mjedis i gjallë i shoqërisë civile, siç është rasti i shoqërisë civile në Kosovë, insiston në më shumë transparencë dhe integritet të përfaqësuesve të popullit në argumentet e tyre pro dhe kundër propozimeve ekzistuese mbi projektligjin. Kërkojmë që OJQ-ve t’u jepet mundësia që të angazhohen me ta në diskutimet publike, dhe që pozicioni ynë të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe profesionale.

Përmes kësaj letre, përveç shqetësimeve dhe kërkesës drejtuar juve që nëpërmjet rolit tuaj (si aktorë kryesor në gjithë këtë proces) të rikujtoni Komisionit Parlamentar dhe institucioneve tjera relevante për rëndësinë e shqetësimeve profesionale që ne kemi ngritur, ne organizatat e nënshkruara dëshirojmë të ri-kujtojmë qëndrimet tona për që një sistem i financimit të partive duhet të jetë në përputhje me parimet e transparencës, sigurisë ligjore, integritetit, drejtësisë zgjedhore, dhe më e rëndësishmja, praktikat më të mira evropiane të financimit të subjekteve politike dhe zgjedhjeve.

Le të kujtojmë se Raporti i Vendit për Kosovën 2018 këmbëngul që financimi i partive politike në Kosovë të përmirësohet rrënjësisht përmes një ndryshimi të ligjit i cili do të harmonizohet me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së gjithashtu vë në dukje se Kosova duhet t’i përmbahet këtyre standardeve. Të gjitha këto përpjekje duhet të kontribuojnë në një përmirësim thelbësor të të gjithë sistemit zgjedhor dhe të reflektojnë pozitivisht në të ashtuquajturën reformë zgjedhore.

Ky është një proces kyç i reformave evropiane për Kosovën. Me këtë rast, duhet të theksojmë që ndryshimet e propozuara në ligj ndërhyjnë, me force, në synimin për të siguruar një reformë zgjedhore të besueshme dhe të kualifikuar, për të cilën Republika e Kosovës ka vendosur që të ndërmarr tashmë.

Prandaj, dëshirojmë t’ju kërkojmë juve, ambasadore Apostolova, të reagoni publikisht ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke dënuar tendencën e paligjshme në Kuvend për të rregulluar financimin e partive në një mënyrë që bë vend për interesat individuale të partive qeveritare, por jo vetëm.

Ne, gjithashtu, ju kërkojmë të takoni personalisht akterët kryesorë parlamentarë dhe zyrtarët qeveritarë për ta bërë këtë shënim të zëshëm, duke këmbëngulur që të merren me shumë seriozitet kontributi dhe kritikat e shoqërisë civile dhe rekomandimet e tyre profesionale.

Roli i organizatave tona në nxitjen e një reforme të besueshme zgjedhore është vendimtar dhe ne kërkojmë mbështetjen tuaj për ta bërë kontributin tonë edhe më të fortë dhe zërin tonë më të dëgjuar. Nuk ka një proces reformash evropiane pa një sistem zgjedhor demokratik. Financimi i partisë është një element kyç i kësaj. Prandaj, mbështetja juaj për ne në këtë përpjekje do të jetë kritike për integrimin evropian të Kosovës.

Organizatat e nënshkruara të letrës dërguar ambasadores Apostolova janë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet (Çohu), Demokraci Plus (D+), Lëvizja Fol, Balkan Investigation Reporting Network (BIRN), Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Westminster Foundation for Democracy.