Ballina Lajme Dy serb arrestohen për mallra të kontrabanduara, njëri nga ta polic

Dy serb arrestohen për mallra të kontrabanduara, njëri nga ta polic

Policia e Kosovës gjatë patrullimit në rajonin e Gjilanit, ka hasur në dy persona të dyshuar të cilët në furgonin e tyre kishin ngarkuar një sasi të mallrave të kontrabanduara.

Sipas Policisë, Policia e Kosovës dje ka ndaluar një furgon me targa vendore të cilin e drejtonte njëri nga dy të dyshuarit.

“Pas kontrollimit të këtij furgoni është vërejtur se në të kishte të ngarkuar rreth katërdhjetë arka birra, një komplet qumësht dhe një sasi e çokollatave ku vlera e këtij malli sipas njërit nga të dyshuarit sillet rreth 400 euro. Në lidhje me rastin personat e dyshuar të arrestuar janë: Zh. R i lindur më 1962, kosovar-serb dhe G. S i lindur më 1972 kosovar-serb. Personat e lartcekur janë shoqëruar në stacion policor ku njëri nga të dyshuarit e përfshirë në rast është pjesëtar i Policisë së Kosovës, dhe me këtë rast është njoftuar edhe IPK-ja (Inspektorati Policor i Kosovës) të cilët kanë bërë intervistimin e të dyshuarit (zyrtar policor) të përfshirë në rast. Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes, është kontaktuar prokurori i shtetit me vendim të të cilit të dyshuarve të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Furgoni si dhe malli i dyshuar për kontrabandim është sekuestruar deri në përfundimin e procedurave të parapara me Kodin e Procedurës Penale.