Ballina Lajme Çmimi “Muslim Mulliqi” i ndahet Agim Çavdërbashës

Çmimi “Muslim Mulliqi” i ndahet Agim Çavdërbashës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një ceremonie ka ndarë çmimet për Artet Pamore “Muslim Mulliqi”, ku çmimi kombëtar për veprimtari jetësore iu nda profesorit të ndjerë, Agim Çavdarbasha.

Ndërsa ai për të arriturat në fushën e artit pamor iu nda, profesorit Agim Salihut.

Me këtë rast, ministri i Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se kjo është një ditë e veçantë pasi në këtë mënyrë po dëshmohet përkushtimi i shëtit për të vlerësuar punën dhe kontributin e artistëve.

Për ndarjen e çmimeve, Gashi tha se ka vendosur juria e cila ka bërë vlerësimin profesional, për çka edhe shprehi mirënjohje ndaj tyre.

Gashi: Shteti i Kosovës po vlerëson punën dhe kontributin e artistëve

“Ishte jashtëzakonisht lajm i mirë që juria ka vendosur, veçanërisht për çmimin për veprimtari jetësore, që në mandatin tim, t’i jepet çmimi një figure shumë të madhe për vendin tonë, siç është ose siç ka qenë profesor Agim Çadarbasha. Dhe, i jam shumë mirënjohës jurisë që ka vendosur drejt dhe në mënyrën më profesionale për këtë figurë të çmuar. Dhe, po ashtu, e përgëzoj edhe për çmimin tjetër, për të arriturat në fushën e artit pamor, prof. Agim Salihun, që po ashtu ka qenë një vendimmarrje e jurisë… Sot ndjehuni mirë, sepse shteti, MKRS, qeveria e Kosovës, po e vlerëson punën e juaj”, tha Gashi.

Në emër të familjes, çmimin për veprimtari jetësore e mori bashkëshortja skulptorit të ndjerë, Sebahate Çavdarbasha.

Ajo u shpreh optimiste se MKRS do të vazhdojë bashkëpunimin edhe më tutje, teksa ftoi që të ketë kujdes të posaçëm për skulpturat që gjenden në muze.

Çavdarbasha: Ky është vlerësimi më i lartë për veprën e Çavdërbashës

“Unë jam e lumtur që sot, ju, bashkë me ekipin e juaj rreth jush, keni bërë vlerësimin më të lartë, mendoj që deri tash e kemi pritur. Mendoj se ai nuk është një artist vetëm i përmasave tona, kosovare, por edhe mbarëkombëtare, por edhe jashtë kufijve tonë. Kështu që më vjen mirë. Besoj dhe shpresoj se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin, që është edhe më i hershëm. Shpresoj që në të ardhmen, ato skulpturat që gjenden në muze, besoj që do të ruhen dhe do të kenë kujdesin e gjithë njerëzve të kulturës ”, u shpreh ajo.

E profesori Agim Salihu foli për rëndësinë dhe simbolikën që këto çmime kanë për artistët e vendit.

Salihu: Çmimet e sotme me rëndësi shumë të madhe, shteti po e nderon artistin

“Ky çmim, për mua ka rëndësi shumë të madhe sepse shteti po e nderon artistin. Dhe, kur shteti e nderon artistin, atëherë ka një peshë më të madhe sepse edhe artisti pak i harron dhe ka emocion më të madh për sakrificën që ka bërë dhe mundin”, tha Salihu.