Ballina Lajme Brovina tregon edhe një fotografi të një vajze 7 vjeçare që ka...

Brovina tregon edhe një fotografi të një vajze 7 vjeçare që ka vdekur pas dhunimit gjatë luftës

Deputetja e PDK-së Flora Brovina, ka prezantuar në Kuvend edhe një fotografi të një vajze 7 vjeçare që sipas saj ka vdekur pas dhunimit gjatë luftës nga serbët.

Ajo ka deklaruar se mund të traumatizohet kush të dojë, por sipas saj e vërteta duhet të mbërrijë atje ku duhet.

“Kryerja e vetëvrasjeve në thonjëza të ushtarëve shqiptar, pra pas marrjes së rezolutës e me qindra e mijëra, në këtë moment nuk e kam numrin e saktë të ushtarëve të cilët kinse kanë bërë vetëvrasje vijnë në arkivole. Kjo është një formë që duhet shtuar kësaj rezolute që të jetë e plotë me të gjitha masakrat, sepse u tha masakra nuk harrohet dhe kur të bëhet e tëra kuptohet se nuk është dy vjet të terrorit dhe dhunës, por janë shumë më shumë. Sa i përket kësaj kemi mjaftë dëshmi dhe unë nuk desha t’i përgjigjem koleges time, por mendoj që argumenti dhe e vërteta janë jo vetëm kur flasin të huajt, por kur flasim ne vetë. Ndoshta mjaftojnë që 20 vjet nuk kemi folur për të vërtetën kur atë e themi qoftë edhe në atë Kuvend qoftë edhe me lejen e familjarëve le të jetë më e fuqishme sesa e huaja, sepse para vete kam edhe dokumentet për helmimet. Të tjerët kanë shkruar për helmimet, por neve jo nuk na është mundësuar që të flasim zëshëm për këto çështje. E njëjta ka ndodhur me dhunimet. Më lejoni vetëm një moment të marrë një fotografi, ky fëmijë me lejen e prindërit, nënës dhe familjes e dëshmojë se ka vdekur gjatë dhunimit, 7 vjeç vajza. Le të traumatizohet kush të dojë, por e vërteta le të mbërrijë atje ku duhet. Ajo është akuza për gjenocid”, tha deputetja e PDK-së.

Brovina teksa ka folur për rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë, ka thënë se asaj duhet t’i shtohen edhe disa fakte të tjera, sipas saj gjenocid është edhe mbyllja e shkollave dhe largimi i punëtorëve nga puna.

“Rezolutës duhet shtuar edhe disa fakte të tjera, në rend të parë nuk duhet harruar se në Kosovë ka ndodhur helmimi masiv ndaj fëmijëve shqiptar në shkolla. Për këtë kam sjell shumë argumente sepse disa edhe këtu në sallë nuk besojnë se ka ndodhur një helmim i tillë. Kam të drejtë të flas sepse gjatë 6 vjetëve kam përcjellë fatin e këtyre fëmijëve dhe ja edhe argumentet nga studiuesit ndërkombëtarë në gjuhët e tyre dhe këto le të jenë dëshmi për ata që duan ta dëshmojnë gjenocidin në Kosovë. Krim ndaj njerëzimit këtu është mbyllja e shkollave shqipe dhe vetëm një fakt ju solla juve kryetar sepse këtu në sallë kam edhe më shumë argumente, vetëm nga familja e juaj Veseli ka një rend të tërë qytetarësh, nxënësish nga Mitrovica po edhe nga Presheva, Medvegja”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së Flora Brovina gjatë ditës ka paraqitur një fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serb gjatë luftës në Kosovë. Dhunimi sipas saj ka ndodhur në sy të familjes. /M.Duraku/