Ballina Lajme ​Policia realizon planin operativ “Kontrolli” në disa lokale të cilat ofrojnë shërbime...

​Policia realizon planin operativ “Kontrolli” në disa lokale të cilat ofrojnë shërbime për masazhe

Policia e Kosovës, duke u referuar në vendimet e institucioneve shtetërore kundër përhapjes së koronavirusit, mbrëmë në Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren, ka realizuar planin operativ “kontrolli-20.05.2020”.

Bazuar në informacionet inteligjente dhe nga burimet e hapura, disa lokale të cilat ofrojnë shërbime për masazhe, edhe përkundër ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë në kohë pandemie, kanë kryer veprimtarinë e tyre në mënyrë ilegale, duke paraqitur rrezik për shëndetin publik dhe personave pjesëmarrës.

Bazuar në urdhëresat e prokurorive kompetente janë realizuar kontrolle në:

Prishtinë – janë kontrolluar 14 lokacione, prej tyre 6 kanë qenë të hapura, ku janë takuar 23 persona, ndaj të cilëve janë marrë masat e nevojshme ligjore.

Në Ferizaj, objekt kontrolli kanë qenë 3 lokacione, por që kanë qenë të mbyllura, përderisa është kontrolluar edhe një restorant por nuk është vërejtur ndonjë dyshim.

Në Prizren, objekt kontrolli kanë qenë 4 lokacione, prej tyre 2 kanë qenë të hapura, ku janë takuar 12 persona, ndaj të cilëve janë marrë masat e nevojshme ligjore.

Në këtë operacion të gjerë policor kanë marrë pjesë njësi të profileve të ndryshme policore, përfshirë edhe inspektor kompetent nga niveli qendror dhe ai lokal.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e të gjitha dukurive negative që bien ndesh me mos respektimin e vendimeve të institucioneve të Kosovës, që kanë të bëjnë me parandalimin e përhapjes së pandemisë.